“Alarmi i kuq”, si pritet të ndikojnë ndryshimet klimatike në Shqipëri

0
27


Viti 2021 ktheu këndvështrimin për ndryshimet klimatike nga një term abstrakt, që cilësohej si “mashtrim” apo “shaka”, në një alarm të kuq të shpallur për herë të parë nga Kombet e Bashkuara. Shqipëria, e vetëcilësuar një “aktor” pa rol, duket se ende nuk e sheh veten të kërcënuar për aq kohë sa në nivel politikash ka një angazhim inekzistent.

Por këto ndryshime prej vitesh po rëndojnë mbi supet e shqiptarëve që përmbyten çdo vit, me zjarre që përpijnë qetësisht hektarë të tërë pyjesh, thatësira të gjata e stuhi të forta. Tani ndryshimet klimatike po “kërcënojnë” tryezën e ushqimit. Rritja e çmimit të bukës, kafesë është vetëm fillimi.

Ekspertët vlerësojnë se bujqësia, blegtoria, peshkimi, turizmi e shumë të tjerë do të vuajnë pasojat e ndryshimeve. Të dhënat zyrtare nga IGJEO tregojnë për rritje të temperaturës mesatare vjetore dhe më pak reshje, teksa mikroklima është “zhdukur”. Mbrojtja civile në raste fatkeqësish natyrore gjithmonë në rritje, mbetet ende e pakonsoliduar

Ishte dukur pak e largët dhe abstrakte ideja se ndryshimet klimatike mund të preknin direkt xhepin e më tej, të rrezikonin edhe jetën. Për dekada me radhë, kjo temë rrotullohej në tavolina konventash, kongresesh, senatesh ndërkombëtare. Por viti 2021 shënoi pikën e kthesës kur alarmi i kuq u ngrit njëzëri në të gjithë botën nga një raport i Kombeve të Bashkuara.

Në njërën anë, ishte një botë që shkrumbohej nën pushtetin e zjarrit dhe në tjetrën, një botë që po përjetonte ulje dramatike anormale temperaturash. Shkrirja e akullnajave në Groenlandë, Arktik dhe Antarktidë ndoshta nuk mund të na shqetësojë dhe aq shumë këtu në Shqipëri, por ndryshimet e klimës janë shumë më shumë sesa kaq dhe ato kanë nisur të ndihen në tryezën e ushqimit të secilit prej nesh.

Ka nisur nga buka, kafeja, vaji e një sërë produktesh që po shtrenjtohen dhe sot, si shkak nga importuesit, lakohen ndryshimet klimatike. Prekja e zinxhirit ushqimor dhe rreziqet në horizont nga ndryshimet klimatike po rriten dhe Shqipëria nuk është një vend imun, përkundrazi është tek më të rrezikuarit. Ndaj nuk është kurrë vonë për reflektim, sado të vogla të jenë përmirësimet.

Rriten temperaturat mesatare vjetore, më pak reshje dhe dëborë

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), si i vetmi i këtij dimensioni në vend, i cili monitoron treguesit që lidhen me ndryshimet klimatike, pranon se efektet po ndihen edhe në Shqipëri. Sipas IGJEO, kjo duket në disa aspekte nga rritja e temperaturës mesatare vjetore te reshjet e shiut apo borës. “Temperatura mesatare vjetore është rritur, sidomos në 10 vitet e fundit. E njëjta gjë vërehet edhe te temperaturat minimale dhe maksimale vjetore që kanë tendencë rritje, sidomos në 10 vitet e fundit.

Sasia e reshjeve është zvogëluar me rreth 10-15%, ndërsa intensiteti i reshjeve është shtuar. Kemi sasi më të mëdha reshjesh në një kohë më të shkurtër. Gjithashtu duhet përmendur fakti që kemi më pak reshje në formë bore, edhe në sasi dhe në shpërndarje” konfirmoi ky institut për “Monitor”.

Rritja e intensitetit të reshjeve është një nga arsyet se pse përmbytjet janë një nga fatkeqësitë natyrore me të cilat vendi ynë është përballur dhe do të përballet më shpesh. Instituti i Gjeoshkencave vlerëson se fenomenet nga të cilat kërcënohet vendi ynë, edhe pse nuk janë të dimensioneve të mëdha si uragane apo tornado, janë gjithashtu të dëmshëm.

“Shqipëria, nga shtrirja fiziko-gjeografike, është e mbrojtur nga uraganet, sepse duke qenë se ne lagemi nga dete të mbyllur nuk rrezikojmë nga fenomene të tilla. Fenomene që ne rrezikojmë nga deti janë erozioni bregdetar dhe përmbytjet nga deti” – nënvizon IGJEO. Në një publikim të Bankës Botërore mbi profilin e rrezikut të kimës të Shqipërisë, thuhet se vendi ynë ka përjetuar një rritje të temperaturës mesatare vjetore prej 1 ° C që nga vitet 1960.

Ndryshimet klimaterike në Shqipëri

Temperatura mesatare vjetore është rritur, sidomos në 10 vitet e fundit.
E njëjta gjë vërehet edhe te temperaturat minimale dhe maksimale vjetore që kanë tendencë rritje, sidomos në 10 vitet e fundit
Sasia e reshjeve është zvogëluar me rreth 10-15%, ndërsa intensiteti i reshjeve është shtuar
Burimi: IGJEUM

Temperatura

Vendi ka përjetuar një rritje të temperaturës mesatare vjetore prej 1 ° C që nga vitet 1960
Burimi: Banka Botërore

Bujqësisë i rriten kostot, ulet prodhueshmëria, më shumë importe

Ndryshimet klimatike pritet të ndikojnë një sërë sektorësh, ku një prej tyre dhe ndër më të rëndësishmit është bujqësia. Agim Rrapaj, nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, shprehet se toka dhe uji, dy nga pasuritë bazë që mund të ketë një vend, po vuajnë si efektet e ndryshimeve klimatike ashtu edhe politikat e gabuara.

“Nëse i shohim me kujdes, ndryshimet klimatike kanë ndikuar te toka, sidomos në lidhje me erozionin. Për shkak të mungesës së masave për parandalimin e këtij fenomeni, shpesh është hequr dorë nga investime të caktuara. Erozioni heq pjesën më produktive të tokës dhe e çon atë në det” shprehet Rrapaj. Mungesa edhe e investimeve për të rritur aksesin në ujë për tokat bujqësore, apo braktisja dhe lënia djerrë ka ndikuar negativisht në prodhimin bujqësor në vend.

Efektet janë të dukshme, pasi sot ka më pak kultivarë, ka kosto të rritura për prodhimin dhe ulja e rendimentit apo prodhueshmërisë është evidente. Në fund, ajo që po ndodh me Shqipërinë është orientimi drejt importit, që do të thotë se atë çka konsumojmë gjithmonë e më shumë do ta marrim nga të tjerët.

“Ndryshimet klimatike ndikojnë tek ulja e prodhimit për njësi të sipërfaqes. Është ulur rendimenti, janë rritur kostot dhe reduktuar kultivarët të cilët ndikojnë ndjeshëm tek mekanizimi. Ne kemi kapacitete në blegtori që të furnizojmë me të gjithë asortimentet jo vetëm tregun vendas por edhe më gjerë. Fakti është që sot importojmë 200 milionë euro në vit produkte ushqimore të këtij grupi.

Kjo shifër e lartë vjen si rezultat i uljes së prodhimit dhe mbjelljes së kultivarëve në tokat tona që nuk janë më ato që kanë qenë nga pikëpamja e prodhueshmërisë. Po të shohësh në zonën e Korçës ka nisur një përmbytje në zonën e Maliqit, kemi një fenomen që quhet ‘moçalizim’, ku tokat produktive kthehen në moçal për shkak të mungesës së kullimit” – pohon Rrapaj.

Ai nënvizon se Shqipëria është ende në kohë për të bërë kthesë në një sektor të rëndësishëm siç është bujqësia dhe blegtoria. Kjo mund të arrihet me investime më serioze në funksion të ujitjes, dhënies së certifikatave të pronësisë ku mund të nxitet kultivimi në tokat e lëna djerrë. Sot gjithashtu ka nevojë të ringrihet Instituti i Tokës dhe të bëhet një studim i mirëfilltë për situatën e përgjithshme që ka toka, pasi askush nuk e di sesi ka ndryshuar gjendja në dy dekadat e fundit.

Ndikimet në bujqësi

Ulje e prodhimit për njësi të sipërfaqes
Ulje e rendimentit
Rritje e kostove
Reduktim i kultivarëve
Shtim i importeve

Shtrenjtohet buka dhe kafeja, ndikimet e ndryshimeve klimatike tek prodhimet bazë

Rritja e çmimit të bukës në vend me 10-20 lekë u paralajmërua më herët nga industria e blojës. Ata u shprehën se çmimi i miellit u rrit me 15% dhe në këtë rast, shkak ishin zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të lidhura me të korrat e dobëta në Hemisferën e Veriut. Një ton grurë u shit me 273 dollarë në tregjet ndërkombëtare më datën 23 gusht 2021. Kjo ishte vlera më e lartë që nga vjeshta e vitit 2012.

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve referojnë se çmimet e larta po vijnë si rrjedhojë e prodhimit të dobët këtë vit në Rusi dhe Kanada, furnizuesit kryesorë të tregut global me grurë. Prodhimi në hemisferën veriore paraqitet me një deficit rreth 21 milionë tonë këtë vit. Por analistët e tregut global janë optimistë se situata do të përmirësohet nga korrjet më të mbara në Hemisferën e Jugut.

Rritja e çmimit të grurit, një produkt bazë në konsumin global pritet të sjellë rritje zinxhir të çmimeve në produktet dhe nënproduktet e brumit që nisi së pari me bukën. E teksa mendon se buka ishte e vetmja çmimi i së cilës po rritet, duket se edhe filxhani i kafesë së mëngjesit do të kushtojë gjithmonë e më shtrenjtë.

Gushti ishte një muaj i nxehtë edhe për çmimet e kafesë, të cilat u rritën në tregjet ndërkombëtare. Shkak për këtë u bë prodhimi më i ulët në Brazil, prodhuesi më i madh në botë ku ngricat shkatërruan të mbjellat. Në vetëm një javë, çmimet u rritën me 30%. Ekspertët vlerësojnë se ndryshimet në çmimet e ushqimeve do të jenë në vazhdim më dinamike dhe të luhatshme, ashtu sikurse po bëhen edhe ndryshimet klimatike ku thatësirat, ngricat dhe reshjet po bëhen më ekstreme.

Peshkimi, ngrohja në disfavor të levrekut dhe midhjeve

Levreku është një nga peshqit që jeton ujërat e ftohta, ndaj pjesa e detit Adriatik dhe Jon kanë qenë një strehë e mirë për të. Ngrohja graduale e ujit, nuk është e përshtatshme për rritjen e levrekut e as për midhjet.

Prof. Asoc. Dr Rigers Bakiu, përgjegjës i Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, shprehet se ndryshimet klimatike në Shqipëri mund të mos manifestohen në mënyrë të dukshme tek peshkimi, pasi vendi ynë ka potencial në rritje në këtë sektor, por në të ardhmen, efekte do të kenë patjetër.

“Ne jemi vend në zhvillim dhe normalisht edhe potencialet tona të fokusuara në këta sektorë janë në zhvillim, ndaj nuk kemi një manifestim të efekteve sikurse bie fjala në Greqi. Por mund të themi disa dukuri që janë të pritshme. Për shembull, për ta bërë më të thjeshtë. Në ujërat tona mundet, pas 10 vitesh, që mos të gjesh levrekun që preferon potencialisht të rritet në ujëra të ftohta.

Normalisht rritja e temperaturave nuk e favorizon, ndaj mund të pritet një efekt potencial. Në tërësi, sa u përket peshqve, ngrohja globale nuk do të ketë efekte në dobi të rritjes së bollshmërisë, sikurse ndodh me kallamarin, oktapodin, sepjen. Edhe më e ulët do të jetë prodhimtaria sa u takon krustacëve bivalvorë apo midhjet e ostrikat, siç i njohim ndryshe” – vlerëson Bakiu.

Ai parasheh një efekt më të madh te lagunat që janë një pasuri e madhe për vendin dhe që funksionojnë si ekosisteme më vete me biodiversitetin e larmishëm që i përkufizon. Por rritja e kripësisë, sipas Bakiut, mund të bëjë që hallkat përbërëse të këtij ekosistemi të pësojnë ndryshim dhe si rrjedhojë, të përcjellë këtë në gjithë zinxhirin. Tek akualuktura, ndryshimet klimatike mund të sjellin rritje të kostove.

Shqipëria nuk ka mikroklimë, ngrohja globale rritet “artificialisht” më shumë

Ngrohja globale, si efekt i aktivitetit të njeriut dhe ngrohja si proces normal natyror, ka rritur temperaturat mesatare vjetore globalisht, por vendet, nëpërmjet masave që marrin mund të zbusin apo të bëjnë më ekstreme këtë situatë. Për Sazan Gurin, ambientalist, Shqipëria jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë për të zbutur efektet, por ka shkatërruar mikroklimën.

“Vetë ngrohja globale natyrore ka një proces natyror të rritjes së temperaturës 0.5 gradë për 100 vjet. Ngrohja për shkak të efektit njerëzor është shumë më e shpejtë, me 2 gradë për 30 vjet.

Njerëzimi e ka përshpejtuar ngrohjen globale me 12 herë dhe sot po shohim efektet pasi qeniet e gjalla nuk përshtaten dot me periudha kaq të shpejta. Vera e këtij viti tregoi temperatura shumë më të larta se mesatarja, çka tregon se edhe vendi ynë po vuan temperaturën globale në rritje dhe ndryshimin klimatik të madh global.

Por nuk janë vetëm këto. Një vend i varfër si ne vuan edhe proceset lokale. Ngrohjes së përgjithshme duhet t’i shtojmë dhe ndryshimet lokale, të tilla si zjarret nga mbetjet, nga pyjet, mungesën e gjelbërimit, trotuaret e shumta që reflektojnë nxehtësi apo soletat e depozitat mbi pallate. Të gjithë këto elemente bëjnë atë që njihet si ndryshim lokal i klimës. Pra ne në Shqipëri na mungon mikroklima.

Kjo vjen si efekt edhe i disa politikave të gabuara, ku një prej tyre, për shembull, është ajo e kontratave koncesionare të hidrocentraleve. Janë 15 mijë kilometra vijë uji që janë futur në tuba dhe kanë bërë që si fshati dhe qyteti të vuajnë njëlloj dhe të ‘shkatërrohet’ klima lokale” – pohon Guri.

Ai thekson se Shqipëria nuk është një aktor pa rëndësi kur bie fjala tek kontributi negativ që jep në mjedis, por nëse ndërmerren politikat e duhura ka shpresë për rikuperim. Pyllëzimi, jo vetëm në zonat malore, por edhe bregdetare, investimet për uljen e fenomeneve si erozioni, apo gjetja e një balance për përdorimin e burimeve ujore mund të japë efekte pozitive në mikroklimë, duke bërë që temperaturat e larta apo të ulëta të përjetohen në mënyrë më të zbutur.

Sektorët që kërcënohen nga ndryshimet klimatike, nga energjia te turizmi dhe pijet

Një vend që e bazon prodhimin e vet të energjisë në burime të rinovueshme sikurse Shqipëria, është gjithmonë në rrezik ndaj kapriçove të motit. Nuk janë të largëta ditët kur 1 MWh energji nga kompanitë vendase u ble në import me 160 euro, duke arritur çmime rekord.

Ndaj ndryshimet klimatike kërcënojnë së pari një sektor jetik, siç është energjia. Vendeve do t’iu duhet që të bëjnë diversifikim më të madh dhe politika më të kujdesshme pasi investime të sotme mund të mos jenë fizibël nesër.

Një tjetër sektor është ai i prodhimit të verës. Mediat ndërkombëtare shkruajnë sesi tani, industria e verës dikur në kulmin e vet në Francë, për shkak të ndryshimeve klimatike po bëhet traditë dhe me prodhimtari më të lartë në Britaninë e Madhe.

Uji, një nga pasuritë më të mëdha që mund të ketë një vend, është një nga elementet i cili ndikohet nga ndryshimet klimatike. Ndaj industritë e pijeve, me apo pa gaz, janë gjithmonë nën kërcënimin e sasisë së disponueshme të ujit. Industria e sigurimeve është një tjetër industri e kërcënuar nga ndryshimet klimatike.

Kompanitë ofrojnë mbulim ndaj fatkeqësive natyrore dhe rritja e shpeshtësisë së tyre dhe dëmeve gjithmonë e më të mëdha i bën portofolat e tyre më të dobëta, ndërkohë që shtron para nevojën për të rishikuar politikat dhe produktet e sigurimit. Turizmi është një tjetër sektor. Erozioni nga deti që kërcënon plazhet apo “zhdukja” e dëborës në majat e larta ku janë investuar pafund para për resorte e pista skish mund të kthehet në një dëm të pallogaritshëm.

Ushqimet që ndryshimet klimatike mund të eliminojnë nga menuja juaj nga avokado tek vanilja e bananet

Me siguri keni parë dhjetëra foto të arinjve polarë të dobësuar në Arktik, të vetëm mbi një pllakë akulli, në përpjekje për të përshkruar efektet e ndryshimeve klimatike. Por arinjtë polarë nuk janë të vetmit të prekur nga rritja e temperaturave, pasi edhe disa bimë rrezikojnë të zhduken nga ndryshimet klimatike. Këto përfshijnë vaniljen, pataten, madje edhe avokadon.

“Kripësia e tokës po ndryshon dhe këto bimë nuk e kanë aftësinë për t’u përshtatur. Temperaturat po rriten. Për shkak të ndryshimeve klimatike, edhe parazitët dhe sëmundjet do të ndryshojnë dhe kjo mund të ketë efekt të madh te bimët e kultivuara. Mund të kemi mungesa të këtyre ushqimeve.” – tha Dr. Bárbara Goettsch për “The Guardian”, e cila udhëhoqi studimin, i publikuar në “Plants, People, Planet”.

Cilat kultura po zhduken për shkak të ndryshimeve klimatike?

Studimi i Goettsch, i titulluar “Rreziku i zhdukjes së disa bimëve të egra të mesit të Amerikës” zbuloi se ndryshimet klimatike kanë ndikuar në zhdukjen e shumë bimëve të egra të kulturave popullore. Patatet, avokadot, vanilja, pambuku i egër, fasulet e egra, kungulli, speci i egër, banania, molla, kumbullat e thata dhe xhenxhefili janë vetëm disa prej tyre. Varietetet autoktone të vaniljes në Amerikën Jugore dhe Qendrore janë në një rrezik të madh zhdukje, ndërsa pambuku i egër është i dyti në listë, ndjekur nga avokado dhe patatet e egra.

Një studim i mëparshëm – i publikuar në Global Citizen – zbuloi se 40% e të gjithë kulturave ushqimore po përballen me një zhdukje të afërt, për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme të kushteve klimatike.

“Ndryshimet klimatike kërcënojnë ‘të shpërthejnë’ kushte meteorologjike, parazitë dhe sëmundje, të cilat kulturat tona do t’i kenë të vështirë të përballen – lexohet në raport. – Nëse njerëzimi do të jetojë në të ardhmen, duhet t’i bëjmë sistemet tona të prodhimit të ushqimeve më të larmishme, elastike dhe të qëndrueshme nga pikëpamja mjedisore”.

Në ç’mënyrë, ndryshimet klimatike po i çojnë këto kultura drejt zhdukjes?

Raporti studioi 224 specie që rriten në Meksikë, Guatemala, El Salvador dhe Honduras, të cilat që të gjitha janë bërë të rëndësishme në dietat dhe në ekonomitë e botës. Studimi zbuloi se shumë prej tyre janë duke u zhdukur, për shkak të mbiprodhimit dhe përdorimit të pesticideve. Të korrat nuk kanë qenë aq të mbara për shkak të rritjes së temperaturave, specieve invazive, kontaminimit të kulturave gjenetikisht të modifikuara, shpyllëzimit, thatësirave dhe zjarreve.

Nëse diçka nuk ndryshon shpejt nga këndvështrimi klimatik, kafeja e mëngjesit, gota e verës apo çokollata që hani natën vonë mund të mos jenë më në duart tuaja për shkak të efekteve shkatërruese të ndryshimeve klimatike. Por gjëja më e rëndësishme është se kjo ka filluar të godasë komunitetet me të ardhura të ulëta, veçanërisht ato që mbështeten në bujqësi për sigurinë ushqimore dhe ekonominë. Rezultati përfundimtar mund të jetë me të vërtetë katastrofik. /Nga Nertila Maho – Monitor

.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here