Eskorta e Merkel i shpëton “për fije” aksidentit në tunelin e Unazës së Madhe, zbulohet skandali i Salillarit –

0
56


Eskorta që shoqëroi kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel në Tiranë në 14 shtator të këtij muaji (2021) për pak sa nuk pati një rezultat tragjik, ndërsa kalonte në tunelet duke ardhur nga Rinasi në Tiranë. Rruga ishte e gjitha e bllokuar nga forcat e policisë, por makina e parë shoqëruese e eskortës, kur ka hyrë në tunel, në njërën nga kthesat e saj, ka rrezikuar të përmbyset, për shkak të shpejtësisë së udhëtimit, duke shkaktuar panik thuajse në gjithë makinat e mëpasme që vinin.

Lajmi është mbajtur “top secret”, por, sipas informacionit që disponon newsbomb.al, e gjithë ajo vizitë mund të kishte qenë katastrofë.

Që në hapjen e tuneleve te nënkalimi i doganës apo i quajturi sheshi “Shqiponja” janë të paktën katër makina që janë përmbysur brenda tuneleve, duke e kthyer këtë në një burim aksidentesh.

Ekspertët inxhinierë të rrugëve thanë se gjithçka po ndodh me rrezikun e shtuar për aksidente ka të bëjë me punimet në tunel nga ana e kompanisë Salillari, që ka fituar edhe tenderin për zbatimin e projektit.

“Edhe po të ishte projekti I dobët, kompania zbatuese nuk mund ta ndërtonte pa standarte, sepse presupozohet që ka kapacitetet e duhura për të riparë projektin” thotë një inxhinier në mënyrë konfidenciale, pa dashur të shprehet publikisht.

Në fakt, firma “Salillari”, përveç 40 milionë eurove që po përfiton nga marrja e Unazës së Madhe, nga pallati me shigjeta te sheshi Shqiponja, si një përfituese e tenderit ku nuk kishte asnjë konkurrent tjetër, nuk është se nuk e ka riparë projektin.

Gjatë këtij viti, me vendim qeverie, i janë shtuar plot 3 milionë dollar në llogari për rishikim të projektit “Mbikalimi Pallati me shigjeta rrethrrotullimi shqiponja Loti 2”. Por ndërsa kanë marrë këto para shtesë, nuk dihet nëse kanë pasur sy të shohin problemin më të madh që kanë pasur, atë të tunelit që të sjell në Tiranë.

“Nyja e doganës, e para nyje në Shqipëri që do të mëndte të mundur lidhjen e dy autostradave: unaza e madhe me Tiranë – Durrës me një shpejtësi 80 km/h. Kjo nuk po ndodh, pasi kthesat në plan janë të njëpasnjëshme dhe me kahe të kundërta. Teknikisht një gjë e tillë është e palejueshme. Duhet të kishte një distancë të drejtë ndërmjet këtyre kthesave rreth 1000 metër. Gjithashtu pjerrësia në tunel duhet të ishte 7% gjë që në fakt nuk është. Sinjalistika vertikale mund të ndihmojë, por gjeometria e rrugës, janë sytë” thonë ekspertët.

Dhe në fakt kjo ka ndodhur. Pjerrësia në tunel është shumë herë më e lartë se 7 përqind, dhe që prej fillimit të shtatorit, kanë ndodhur të paktën 4 aksidente. Madje, aksidenti i fundit u raportua në 13 shtator, një ditë para se të kryhej vizita e zonjës Merkel, ekskorta e të cilës pati të njëjtin fat duke rrezikuar aksident. Makina të përmbysura në tunel që fatmirësisht nuk kanë pasur dëme në njerëz por vetëm dëme materiale, kanë treguar për ekspertët se asgjë nuk shkon në zbatimin e projektit nga ana e firmës “Salillari”, inxhinierët e së cilës, duhet ta kishin pikasur këtë çështje në realitet dhe të kishin kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.

Fotot e makinave të batuara në mes të tynelit kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, por edhe në media kanë nxitur debatin nëse njerëzit janë të sigurt po të ecin brenda tunelit. Askush nuk flet, edhe pse qeveria po harxhon më shumë se 40 milionë euro, që i janë besuar kompanisë “Salillari”, që justifikohet se “kështu është projekti”.

Nuk është vetëm kjo. Për inxhinierët edhe rrugët dytësore nuk duhet të ndahen nga ajo kryesore me mure të larta, “pasi shkaktojnë dëmtime trupore në rast aksidenti”. “Në vend të tyre mund të ishin përdorur guard-rail apo neë jersey (janë ndarje metalike hekur, apo mbrojtëse anësore të rrugëve) që përthithin energji dhe nuk shkaktojnë dëmtime në njerëz”, thonë ekspertët duke marrë parasysh faktin se për Unazën e Madhe po harxhohen miliona e miliona euro.

Në gusht të këtij viti u raportua se ky segment, nga mbikalimi Pallati me Shigjeta deri te sheshi Shqiponja (loti II), punimet kanë avancuar në 50 përqind të tyre ndërkohë që kompania pretendon se ka angazhuar 300 punonjës, edhe pse keta nuk shihen në terren. “Na është dashur ta rishohim projektin” tha ministrja Balluku në gusht të këtij viti.

Projekti i Lotit II të Unazës së Madhe parashikon ndërtimin e një segmenti rrugor kategoria A-urbane, ndërtimin e rrugëve të shërbimit dhe rrugëve sekondare. Gjithashtu parashikohen punime të rrjetit inxhinierik nëntokësor, punime të gjelbërimit, ndriçimit rrugor, punime të sinjalistikës dhe të sigurisë rrugore si dhe ndërtimin e një nënkalimi për këmbësorët. Nuk dihet sesa do të arrihen që të dalin me sukses.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here