11 zyrtarë policie dhe të SHISH kanë kërkuar në sistemin TIMS me emrin e tij, SHÇBA të nisë hetimin –

0
22


Vrasja e Hekuran Billës mund të mbetet pa autor. Kështu është shprehur sot gazetarja Klodiana Lala në News 24.

Teksa i është referuar dosjes së prokurorisë, Lala tha se janë 11 zyrtarë policie dhe të SHISH që kanë kërkuar në sistemin e TIMS me emrin e Hekuran Billës.

Sipas saj ndonjë prej këtyre 11 personave mund të jetë i përfshirë dhe bashkëpunëtor me autorët e vrasjes, duke theksuar se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat duhet të nisë një hetim.

Kujtojmë se Hekuran Billa u ekzekutua më 11 qershor të 2020 në Komunën e Paristit. Viktor Marku dhe Sebastiano Mali e kanë ndjekur prej shumë kohësh Billën, ndërsa kanë mësuar se ai shoqërohej me Adiola Lakrën, të cilën kanë filluar ta ndjekin më vonë.

Ata kishin përdorur si “karrem” 26 vjeçaren. Policia zbuloi nga tabulatet telefonike se 26 vjeçarja ishte edhe telefonata e fundit e viktimës, i cili kishte shkuar për ta takuar, aty ku Adjola Lakra i kishte lënë vendin e takimit.

Por Hekuran Billa nuk e takoi dot kurrë të dashurën, pasi në afërsi të qendrës “Kristal” u ndesh me Viktor Markun, i cili me një automatik me silenciator zbrazi karikatorin mbi të, duke e lënë të vdekur në vend.

“Ky nxitim i policisë po shihet tani, sepse prokuroria e policia kanë dështuar për provimin e akuzës. Në atë kohë u nxitua dhe madje u trumbetua me bujë ndalimi i dy personave të dyshuar. Mendoj që kjo çështje duhet të kishte një përfundim ndryshe nëse policia do ishte më e matur.

Ai u lirua në kundërshtim me ligjin nga ish-gjyqtarja Enelekeda Hoxha, arsye për të cilën është shkarkuar. Por policia nxitoi duke mos i dhënë kohë vetes e prokurorisë të krijonte prova. Dyshimi i parë kishte të bënte me një vrasje për motive gjakmarrja. Duke pasur një konflikt të hapur me familjen Marku, ranë dyshimet mbi Viktor Markun.

Aktualisht prokuroria deklaron se të gjithë kamerat e sigurisë nuk kanë dhënë rezultat për vendndodhjen e të dyshuarit. Nuk ka asnjë thirrje telefonike mes Viktor Markut, Sebastian Malit dhe Adiola Lakrës.Ditën e ngjarjes, telefoni i Markut rezulton i loguar në Tarabosh të Shkodrës.

Është kërkuar nga ana e policisë Petrit Aliaj, alias Xhekson Pusi, i cili ndodhet aktualisht në burgun e Shkodrës, i cili dyshohej se drejtonte mjetin ditën e ngjarjes, por ADN nuk e ka konfirmuar. Janë bërë verifikime për Viktor Markun. Janë pyetur miqtë e Hekuran Billës, por nuk kanë dhënë asnjë të dhënë apo dyshim se viktima kishte frikë se mund të ekzekutohej.

Është kërkuar pushimin e çështjes Prokuroria, por Gjykata do vendosë nëse janë kryer veprimet e plota hetimore. ka disa opsione, ta rikthejë për hetim nga e para, por edhe rikthimi nuk e heq dot mundësinë e lirimit të dy personave të akuzuar.

Në plot ngjarje, si ajo e Marjo Majollarit, dyshohet që u vra për hakmarrje, sot autori është i lirë.Një detaj shumë interesant në kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes. Pyetja e një numri shumë të lartë të zyrtarëve të policisë dhe të SHISH. 11 punonjës policie në periudha të ndryshme kanë kërkuar në sistemin TIMS emrin Hekuran Billa. Personalisht mendoj se ndonjëri prej tyre është i përfshirë dhe ka qenë bashkëpunëtor me autorë.

Këtu mendoj që është çështje e SHÇBA që duhet patjetër të nisë një hetim dhe të shikojë rolin e secilit punonjës policie. Nuk mund që prokuroria të bazohet tek këto deklarime. Ai është vrarë sapo ka hyrë në territorin shqiptar. Mendoj që kjo çështje do shkoj drejt një pushimi të mundshëm. Edhe nëse do kthehet për një rihetim do shkojë drejt pushimit. Ajo që duhet të na shqetësojë është konflikti dhe saga e gjakmarrjes që mund të vijojë mes familjeve”, u shpreh Klodiana Lala.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here