Skandali me projektin! Pedonalja e Molos do të prishet, mbi të kalon loti i dytë i By pass-it –

0
22


Janë ditët e fundit të saj! Pedonalja tek ura e Bunës brenda pak ditësh nuk do të ekzistojë më. Pemët në të gjithë gjatësinë e saj do të priten dhe zona do të mbushet me zhavor deri në lartësinë 2 metër për të vijuar ndërtimin e lotit të dytë të By Pass-it. Kjo bën që e gjithë kjo hapësirë të mos përdoret më nga qytetarët si një atraksion turistik për shëtitjet buzë liqenit.

Puna ka nisur tashmë dhe inxhinieri i këtij projekti Pjerin Delia e ka argumentuar me faktin se zbatimi i projektit mundëson shpëtimin e qytetit nga përmbytjet në rast të reshjeve të dendura dhe fryrjes së liqenit. Por ambjentalistët dhe qytetarët e kundërshtojnë, duke e cilësuar masakër mjedisore të gjithën këtë që po bëhet në një nga zonat më të bukura të qytetit.

Sipas tyre kjo është një “mbytje” që i bëhet brigjeve të liqenit dhe florës e faunës së tij. Për çeshtjen zyrtarisht ka reaguar edhe pushteti vendor ku thuhet se: Bashkia Shkoder është dakordësuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për propozimin për rishikimin e projektit të investimit “Ndërtim i By Pass Perëndimor Shkodër, Loti 2”, sipas konsultimit publik dhe kërkesës së qytetarëve të Shkodrës.

Në kërkesën e saj, të mbështetur edhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kushtet e reja të krijuara ku ka humbur relevanca e funksioneve urbane dhe kontekstit ligjor të projektit “Ndërtim i By Pass Perëndimor Shkodër, Loti 2”, në vijim të shkresave dhe kërkesave të përsëritura të Bashkisë Shkodër, është propozuar dhe është rënë dakord që: të bëhet përshtaja në gjurmë, gjeometri dhe altimetri e projektit, duke e kthyer në nje segment urban dytësor në funksion të parkut të qytetit. Është rënë dakord që kjo pjesë të trajtohet në kuadër të rishikimit të projektit “Rikualifikimi Urban i Hyrjes së Qytetit të Shkodres dhe Parkut për Pushuesit” për t’u bërë pjesë inlegrale e këtij parku. Bashkia Shkodër kërkon nga subjekti ndërtues që të ndalohen menjëherë punimet vijuese.

Për këto punime subjekti nuk ka leje ndërtimi, dhe nuk është i autorizuar të vijojë nga askush, as nga institucione vendore e as nga institucione qendrore. Bashkia Shkodër do të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj si administratore e territorit, duke marrë të gjitha masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

I kthyer në një telenovelë, prej 10 vitesh ky investim ka njohur disa herë ndryshime projekti, zvarritje e paqartësi që vetëm sa e kanë rritur dëmin që po i bën zonës. Prishja e pedonales së Molos mbetet një krim në vete, kur përherë e më shumë qytetit po i reduktohen hapësirat e gjelbërta dhe ato rekreative. /ShkodraNews

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here